Masa 9: MBËSHTETJE ME NAFTË PËR KRYERJEN E PUNIMEVE TË MEKANIZUARA NË BUJQËSI
Mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.

1. Subjektet përfituese të skemës mbështetëse të naftës për bujqësinë janë ato subjekte, të cilët për aktivitetin e tyre bujqësor kryejnë punime të mekanizuara në kulturat bujqësore dhe plotësojnë përkatësisht kriteret si më poshtë:
a) fermerët individualë duhet të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv;
b) personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT/NUIS me status aktiv.
2. Çdo subjekt përfitues, duhet të provojë se ka tokë bujqësore në pronësi apo përdorim, sipas përcaktimeve dhe dokumentacionit të kërkuar në këtë udhëzim.
3. Aplikanti vetëdeklaron kulturat bujqësore të mbjella ose që parashikon të mbjellë, sipas përcaktimeve të formularit të aplikimit on line.
4. Për të gjitha llojet e subjekteve përfituese, madhësia minimale e sipërfaqes së deklaruar për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, duhet të jetë jo më pak se 1 (një) ha, e përbërë nga parcela/ngastra me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha.
5. Normativat e konsumit të naftës për punimet e mekanizuara dhe sasia e naftës që përfitohet falas nga çdo subjekt përfitues, sipas kulturave bujqësore/grup-kulturave, paraqiten në Aneksin 8, bashkëlidhur këtij udhëzimi.
6. Përfitimi i sasisë së naftës falas, për sipërfaqen që kultivohet, është si më poshtë:
a) aplikantët me sipërfaqe deri në 10 ha, përfitojnë 100% sasinë e naftës, sipas normativave të përcaktuara në Aneksin 8, bashkëlidhur këtij udhëzimi.
b) aplikantët me sipërfaqe mbi 10 ha, për sipërfaqen mbi 10 ha, marrin sasinë e naftës me normativë të korrektuar/reduktuar, kur sasia e naftës në dispozicion nuk plotëson të gjithë kërkesën për këto sipërfaqe.
Normativa e reduktuar del nga raporti i normativës së konsumit të naftës (sipas pikës 5 më sipër) me një herës. Herësi del nga raporti: (i.) i nevojave për naftë të aplikuesve me sipërfaqe mbi 10 ha, por jo më shumë se normativa e lejuar; me (ii.) sasinë e mbetur të naftës në dispozicion për vitin 2023, pasi janë plotësuar nevojat e të gjithë aplikuesve deri në 10 ha që janë kualifikuar si subjekte përfituese.
7. Sasia e naftës falas duhet të tërhiqet nga përfituesit brenda datës 31 dhjetor 2023.
8. Përcaktimi i sasisë së naftës që përfiton aplikanti është i lidhur me sipërfaqen e kultivuar dhe llojin e kulturës bujqësore sipas vetëdeklarimit. Në rast se këto sipërfaqe nuk janë të kultivuara apo nuk kultivohen sipas vetëdeklarimit, subjekti përfitues nuk duhet të tërheqë sasinë respektive të naftës, në të kundërt, përbën element penalizues në momentin e verifikimit.
Periudha e aplikimit është nga data 20.3.2023 deri më 11.4.2023.
Aplikimi online është i mundshëm përgjatë 24-orëve, nga ora 08:00 e datës së hapjes deri në orën 24:00 të datës së përfundimit të periudhës së aplikimit.
Formulari i aplikimit online nëpërmjet e-Albania plotësohet nga aplikuesi mbi bazë vetëdeklarimi, në lidhje me:
- parcelat që kultivohen gjatë vitit;
- kulturat e mbjella apo që do të mbillen në ato parcela gjatë vitit.
Nuk kërkohen dokumenta shtesë për të dhënat e gjeneruara nga portali e-Albania dhe të konfirmuara në formularin online.
• Aplikimet on-line bëhen nga vetë aplikanti përmes portalit e-Albania.