info@azhbr.gov.al
Tel: +355 42228318
Monday – Friday

Inaugurohet Agropika e Tiranës, orientimi i duhur për fermerët e zonës

Agropika e Tiranës, hap dyert për fermerët e zonës, si një mundësi e re komunikimi e shërbimit me publikun rreth fondeve të bujqësisë, procesit të aplikimeve, masave mbështetëse nga skema kombëtare si dhe programet e tjera që implementohen nga AZHBR.

Kryeministri Edi Rama, inspektoi ambientet e Agropikës në Tiranë, duke theksuar se viti 2019 ka vlerën më të lartë të alokimit të fondeve shtetërore dhe BE për sektorin e bujqësisë. “Me fondet në dispozicion ne jemi tek rreth 65 milionë. Në varësi të kapaciteteve aplikuese, kjo është tjetër histori, por fondet janë 65 milionë”, u shpreh Kryeministri.

Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural Frida Krifca shpjegoi se Agropika e Tiranës është një dritare shërbimi, e cila u vjen në ndihmë fermerëve të qarkut Tiranë, të interesuar për investime në bujqësi.

Pas miratimit të VKM, dt. 13.03.2019 për “Përcaktimin e kritereve bazë, të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga Fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, për vitin 2019, drejtorja e Agjencisë, Frida Krifca u shpreh se mbështetja financiare për këtë vit  vjen për sektorin e bletarisë, blegtorisë, dorëzimit të qumështit, dhe ato kultura, të cilat nuk mbështeten nga programi IPARD. “Fokusi duhet të ishte tek skemat e vogla direkte dhe ato do vazhdojmë t’i kryejmë. Këtë vit, nëse themi kemi 25% të 50.3 milionëve, plus skemën kombëtare të vitit 2019 që shkon diku tek 4 milion euro, dhe programi i 100 Fshatrave. Pavarësisht se nuk është mbështetje direkte ndaj fermerit, është investim që bëhet për infrastrukturën apo për zhvillimin rural në fshat.” – u shpreh drejtorja e AZHBR.

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Dhimo Kote, i pranishëm në inaugurim, sqaroi se skema IPARD ka kritere specifike që duhen zbatuar dhe kjo ka penguar aplikimin e fermerëve të tjerë, si në rastin e mbjelljeve, apo ujitjeve. Sipas udhëzimit që pritet të miratohet së shpejti nga MBZHR dhe MFE, këto masa mbështetëse do të përfshihen tek skema kombëtare, “Ne jemi drejtuar tek blegtoria, sepse blegtoria nuk është një sektor që e mbështet IPARD-I, dhe për këtë arsye ne duhet ta mbështesim dhe jemi fokusuar plotësisht”, tha Zv/Ministri Kote.

Në kuadër të Paktit për Universitetin, AZHBR ka punësuar 4 studentë të ekselencës, të cilët do angazhohen pranë Agjencisë për të ofruar shërbime cilësore për fermerët e zonës. Agropika e Tiranës që u çel më 18 Mars, është njëra prej 20 pikave të hapura në disa qytete të vendit, e konceptuar si një dritare e dedikuar për fermerët që duan të investojnë në bujqësi dhe zhvillimin rural, apo të informohen për zhvillimet më të reja në sektorin e bujqësisë.