Bashkimi Evropian çeli Programin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, IPARD II për Shqipërinë, fond i bashkëfinancuar nga BE dhe Qeveria Shqiptare, me vlerën prej 94 milionë euro. Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca i dorëzoi dokumentin zyrtar Kryeministrit Edi Rama në prani të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi, në aktivitetin e posaçëm me fermerë dhe sipërmarrës të fushës së agroturizmit, më 26 Tetor 2018, në një fermë në Shkallnur të Durrësit.
“Ne, këtu kemi një sfidë shumë të madhe. Sigurisht proporcioni i fondeve është i madh në raport me ne, por nuk është aq i madh, sa të mos arrijmë dot ta absorbojmë nëse do të jemi të mirëorganizuar dhe nëse do të dimë të koordinojmë si duhet me investitorët potencialë, me sipërmarrësit që janë në proces e sipër të transformimit të iniciativave të tyre rurale, nga iniciativa që kanë nisur si iniciativa familjare e individuale, në iniciativa që kthehen në iniciativa të mirëfillta industriale. Ky është thelbi i sfidës”, u shpreh Kryeministri Rama.
Programi ka synim të mbështesë fermerët, sipërmarrjet ekonomike bujqësore, përfshirë SHBB- të, personat fizik dhe juridikë, mikro-sipërmarrjet dhe sipërmarrjet e vogla private jo-bujqësore, që kryejnë investime për prodhimin dhe përpunimin në sektorin e qumështit, të mishit, fruta-perimeve, bimëve të mbrojturave dhe vreshtave
Në këtë kuadër, Drejtore e Përgjithshme, e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, zj. Frida Krifca njoftoi shpalljen e thirrjes së Parë për dorëzimin e Aplikimeve në kuadër të Programit IPARD II nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural (IPARD) me qëllim të zhvillimit të Sektorit të Agro Ushqimor.
“AZHBR, e akredituar si Agjencia e Ipardit për të zbatuar procesin nga momenti i thirrjes e në vazhdimësi është e vendosur të garantojë siguri, transparencë dhe efikasitet për fuqizimin e sektorit dhe në përthithjen sa më të lartë të granteve dedikuar fermerëve individë dhe bisnezeve agropërpunuese në vend”, u shpreh Drejtore e Përgjithshme, Frida Krifca.
Thirrja është e hapur për të gjithë personat (persona fizik dhe juridikë), me kriteret që puna dhe veprimtaria e tyre zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në fushat e prodhimit bujqësor/ose të agro-përpunimit dhe zhvillimit rural me fokus në masat e mëposhtëme:
Masa 1: “Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm:
- Qumësht
- Mish
- Fruta
- Perime
- Vresht
Masa 3: “Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm:
- Qumështi dhe përpunimi i qumështit
- Përpunimi i mishit
- Përpunimi i frutave dhe perimeve
- Vera
Masa 7: “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm;
- Prodhimi i bimëve medicinale aromatike, kërpudhave, mjaltit, bimëve dekorative dhe kërmijve;
- Përpunimi dhe tregtimi i bimëve medicinale dhe aromatike të egra dhe të kultivuara, kërpudhave dhe mjaltit;
- Përpunimi në nivel ferme dhe tregtimi i prodhimeve bujqësore;
- Akuakultura;
- Turizmi i natyrës dhe ai rural;
- Shërbime për popullsinë dhe bizneset rurale;
- Industria e artizanatit dhe punishtet e prodhimit;
- Prodhimi dhe përdorimi i energjisë së rinovueshme.
Të interesuarit mund të marrin informacion mbi fushatën e informimit, dhe kalendarin e aktiviteteve në faqen zyrtare të AZHBR, në linkun e mëposhtëm www.azhb.gov.al. http://azhbr.gov.al/programi-per-bujqesine-dhe-zhvillimin-rural-ipard-ii/
Hapja e thirrjes së parë për aplikime parashikohet në datën 30 nëntor 2018, me kohëzgjatje për aplikim 60 ditë.