info@azhbr.gov.al
Tel: +355 42228318
Monday – Friday

MBZHR dhe AZHBR fillojnë takimet informuese për programin IPARD II

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi dhe Drejtore e Përgjithshme e AZHBR-së Frida Krifca filluan takimet e radhës në kuadër të informimit të sipërmarrësve dhe fermerëve mbi programin  IPARD II, 2014 – 2020, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Shqiptare, me vlerë totale 94 milion euro.

Ministri Peleshi, i pranishëm në takimin e parë të turit informues në qarkun e Tiranës, e konsideroi programin si mbështetjen më të madhe që bujqësia shqiptare, agropërpunimi, zona rurale, ka patur ndonjëherë në të paktën 30 vitet e fundit. “Sot është takimi i parë promovues dhe informues, lidhur me programin IPARD. Në datën 30 Nëntor filllojmë të presim aplikimet. Kjo thirrje qëndron e hapur deri në fund të Janarit, pra kemi 3 muaj kohë për të kthyer një projekt ide apo një dëshirë në një projekt aplikimi. Ky është qëllimi i këtij turi që fillojmë sot dhe do të shpërndahemi me intensitet të lartë në të gjithë Shqipërinë”.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Drejtore e AZHBR-së znj. Frida Krifca theksoi rëndësinë që kanë takimet dhe trajnimet e këtij lloji në përthithjen e fondeve nga BE dhe qeveria, që shënojnë mbështetjen më të madhe financiare dhënë për bujqësinë dhe zhvillimin rural. “Jemi këtu në kuadër të sesioneve informuese për programin IPARD, për tu bërë të njohur të gjitha kriteret e aplikimit dhe sesi mund të përfitoni nga këto fonde. Në këtë mënyrë do arrijmë të kemi aplikime të suskesshme dhe të disbursojmë fondet e vëna në dispozicion”, tha drejtoresha e AZHBR-së.

Duke vazhduar fjalën, Krifca theksoi se do jetë një proces i drejtë, transparent dhe efikas, në përputhje me prioritetin e qeverisë për mirëadministrimin e fondeve dhe plotësimin e kërkesave që ka sektori i bujqësisë. Duke shprehur rëndësinë që ka në këtë proces edhe ndërveprimi me grupet e interesit, Krifca u shpreh: “Në sesionin e pyetjeve më të shpeshta, një grup ekspertësh nga AZHBR dhe Autoriteti Menaxhues, që janë hartues të këtij programi, do japin përgjigjet e të gjitha pyetjeve që ju keni, në mënyrë që të eliminojmë çdo paqartësi mbi procedurën e aplikimeve dhe kriteret e programit”.

Takimi vazhdoi me prezantimet teknike nga ekspertë të AZHBR-së në bashkëpunim të ngushtë me Autoritetin Menaxhues të Programit IPARD II, të cilët trajnuan grupet e interesit lidhur me kriteret e përgjithshme dhe specifike që bëjnë një aplikim të suksesshëm.

Të gjitha palët e interesuara mund të marrin informacion lidhur me llojet e investimeve të pranueshme, aplikantët e pranueshëm, kriteret e përzgjedhjes dhe rregullat e dorëzimit të aplikimeve në “Udhëzuesin për aplikantët”, i shoqëruar me anekset përkatëse për masat 1, 3 dhe 7, të akreditura nga BE, në faqen e internetit: www.azhbr.gov.al dhe http://www.bujqesia.gov.al

Për cdo informacion lidhur me aplikimet është vënë në dispozicion numri i telefonit, Tel: 0800 83 83 dhe Email: info@azhbr.gov.al, si dhe mund të njiheni me kalendarin e turit informues për të gjitha qarqet e vendit.

Kalendari i Aktiviteteve në Qarqe për Thirrjen I-rë, IPARD II